Babë e bir në Skenderaj përfundojnë në Polici, 60-vjeçari publikoi në rrjete sociale pamjet duke shtënë në ajër

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit

Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Qirez të Skenderajt, ku dy persona janë shoqëruar në stacion policor.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se njëri prej të dyshuarve ka shpërndarë në llogarinë e tij në rrjete sociale pamje ku shihej duke shtënë me armë. Si rrjedhojë, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e 60-vjeçarit, me ç’rast ky i fundit ka pranuar që posedon armë të gjuetisë, për të cilën nuk ka leje të lëshuar nga organet kompetente.

Po ashtu, është intervistuar edhe i biri të dyshuarit të parë, i cili ka prnuar se gjatë vitit të shkuar ka shtënë në ajër, pa lejen e babait të tij.

Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprat penale ‘Mbajtje nëpronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.