De Biasi për Armando Brojën: Po shkëlqen në Angli, nuk e di pse luan pak te Shqipëria

Gianni De Biasi foli në “Open Stadium” të “TMW Radio”: “Unë absolutisht duhet të qëndroj këtu (në Baku), sepse lojtarët e ekipit kombëtar janë pothuajse të gjithë në ligën e Azerbajxhanit. Ndjek disa seanca stërvitore, si dhe të gjitha ndeshjet e kampionatit. Në mars do të kemi mundësinë e dy miqësoreve para Ligës së Kombeve në qershor”.

Qarabag vazhdon të dominojë: “Ata kanë gjashtë lojtarë, që bëjnë diferencën mes të mive. Janë ata që i japin përmbajtje kombëtares. Qarabag është në krye të ligës prej vitesh, është një klub që investon. Mendoj se për ndeshjen e ‘Conference League’ kundër Marseille do të ketë 30-40 mijë tifozë për t’i mbështetur”.

Çfarë mendon ish-trajneri ynë kuqezi për ndërprerjen e kampionatit italian, për t’i dhënë Mancinit më shumë kohë për “play off”-et e marsit? De Biasi pëgjigjet: “Sa më shumë kohë të kesh për përgatitje, aq më e lehtë bëhet detyra, në thonjëza.

Do të jenë dy ndeshje themelore dhe Mancinit i duhej diçka e tillë tani. Nuk mendoj se është vendim autonom i Gravinës, por se trajneri ka disa dyshime. Ku duhet të mbështetet Mancini për të mposhtur Portugalinë? Fatkeqësisht, e paguam shtrenjtë mungesën e fitores kundër Zvicrës, por e vërteta është se të gjithë jemi gati të kritikojmë në Itali.

Mancini ka bërë një punë të madhe me një kombëtare që nuk është më e mira për teknikën, vlerat individuale. Ai ka ndërtuar një grup koheziv. Ndeshjet do të jenë të vështira, të dyja. Maqedonia e Veriut nuk duhet nënvlerësuar, duhet të përgatitemi mirë.

Frika është aty, edhe sepse nuk ia dolëm në Kupën e Botës 2018. Kemi mundësi për t’ia dalë, do të varet nga mënyra se si do të arrijmë në mars. A është Interi ende favorit për titullin në Serie A? Padyshim është një kampionat emocionues, i ekuilibruar. Për mua, Interi është skuadra më e fortë deri tani, edhe pse më pëlqejnë shumë Milani e Napoli. Në të njëjtën kohë shoh një Juventus të rilindur”.

Në fund, një ngacmim edhe për Shqipërinë: A do të kishit dashur të ishit trajner i Brojës? “Edy Reja ka një bazë të mirë për të punuar, në kombëtaren shqiptare kanë shpërthyer disa lojtarë të mirë. Broja ka cilësi, i shënoi së fundi edhe Tottenham të Conte. Ai ende luan pak me kombëtaren, jo aq sa do të pritej”.