Dallku: Merkato për Dukagjinin nuk ka përfunduar ende, nuk jemi indiferent ndaj asnjë ekipi në sezonin e ri

KF Dukagjini është skuadra e cila sezonin e fundit u rikthye në Superligë dhe arriti që me mjaft sukses të mbetet edhe për edicionin e ardhshëm në elitë.

Klinasit nën drejtimin e Armend Dallkut nuk ishin “kafshatë” e lehtë për asnjë nga klubet e Superligës së Kosovës.

Skuadra e cila përfaqëson rajonin e Dukagjinit në Superligë, ka qenë aktive edhe në merkaton verore, duke transferuar gjashtë futbollistë, dhe duke rikthyer dy të tjerë nga huazimi.

Kryetrajneri, Armend Dallku në një intervistë për Gazetën Olle, ka folur për transferimet e reja, fazën përgatitore dhe pritshmëritë për sezonin e ri.

“Transferimet janë përshtatur mjaft mirë deri në këtë moment që po flasim, besojmë që me kalimin e kohës do të përshtaten edhe më mirë duke pasur parasysh që futbollin don një kohë sa i përket ambientimit, qëndrimit në qytet dhe ndërlidhjes me bashkëlojtarët e tjerë në ekip. Jemi të kënaqur deri në këtë moment dhe shpresojmë që ambientimi me skuadrën të vazhdojë dhe të përforcohet edhe më tepër në ndeshjet e kampionatit”, tha fillimisht ai.

Tutje, Dallku theksoi se faza përgatitore për ekipin e tij ka shkuar shumë mirë, edhe pse Dukagjini përgatitjet e fundit po i kryen në shtëpi – kjo sipas tij i ka përparësitë e veta.

“Atmosfera në ekip është e mirë, sigurisht që djemtë janë të ngarkuar sa i përket anës fizike dhe psikike ku është një fazë përgatitore e vështirë duke pasur parasysh edhe kushtet klimatike në Kosovë. Por, ne kemi punuar në kushte shumë të mira sa i përket infrastrukturës tonë sepse nuk kemi lëvizur nga Klina dhe kemi qëndruar tek fusha jonë, duke pasur të gjitha gjërat e nevojshme afër. Do të vazhdojmë edhe me disa ndeshje kontrolluese, që të jemi sa më të përgatitur për sezonin e ri”.

Ndonëse klinasit kanë transferuar gjashtë futbollistë, Dallku nuk e përjashton mundësinë e transferimit të një apo dy futbollistëve të tjerë.

“Deri në datën e mbylljes së merkatos, nuk mbyllet as për Dukagjinin, pavarësisht se deri më tani i kemi marrë lojtarët që kemi dashur. Mund të ndodhë që të na bashkangjiten edhe një apo dy lojtarë. Megjithatë ne dëshirojmë të punojmë në qetësi dhe jo të bëjmë bum mediatik”.

Në fund, kryetrajneri i Dukagjinit premton angazhim maksimal, dhe pret që t’i bëjnë të lumtur jo vetëm “Hithat” por edhe qytetin e Klinës dhe rajonin e Dukagjinit.

“Tifozëve tanë i premtoj angazhim maksimal dhe i premtoj që do t’i bëjmë të lumtur jo vetëm tifozët tanë ” Hithat”, por edhe qytetin e Klinës dhe rajonin e Dukagjinit, duke e ditur se klubi i jonë është i vetmi klub në elitë që përfaqëson rajonin e Dukagjinit. Shpresoj që të kemi tifozë edhe nga qytetet e tjera dhe të na përkrahin. Kush është kundërshtar neve nuk na bën përshtypje fare, nuk jemi indiferent ndaj asnjë ekipi, sepse jemi të barabartë me të gjithë. Me përkrahjen e tifozëve besoj që do ta mbyllim këtë vit të suksesshëm, jo sikur edicionin e fundit, të kalojmë në ato ujëra që kemi qenë. Kemi fituar përvojë të madhe dhe e dimë se çka na pret në sezonin e ri”, përfundoi Dallku për Olle.