Dalin emrat: Kjo është 5-shja e parë në Listën e PDK-së, befason numri 2 dhe 4

Derisa po i afrohemi zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tashmë shumica e partive kanë nisur që të përgatisin listën zgjedhore.

Gazeta Blic nga burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës ka mësuar se kush janë emrat që po përfliten për 5-shen e parë në listën zgjedhore të kësaj partie.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli pritet që të jetë edhe bartësi i listës.

I pari i PDK-së, është nominuar nga kjo parti edhe si kandidati për kryeministër.

Vendin e dytë sipas burimeve mund ta zë ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza.
”Edhe pse është kandidat edhe Uran Ismajli, megjithatë dakordimi i Veselit është që Bedri Hamza të jetë i dyti në listë”, tha ky burim.
Gjithnjë sipas këtij burimi, numrin 3 në këtë listë do ta bartë Justina Pula- Shiroka.

”Vendi i katërt i është rezervuar një prej bashkëpunëtorëve me të ngushtë të ish- presidentit Thaçi- Hajredin Kuçi. Edhe pse ish- nënkryetari i PDK-së ka hezitime nëse do të hyjë në listë, megjithatë Veseli ka arritur që ta bindë”, tha ky burim.
Pesëshen e parë e përmbyll zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj.

”Pos Hoxhajt, për vend të 5 ka ambicie edhe bashkëpunëtori më i afërt i Kadri Veselit, Uran Ismaji”, tha ky burim.

Ndërkaq, zyrtarisht askush nga PDK nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje.
Në anën tjetër, shumica e partive kanë caktuar kandidatët për kryeministër, derisa ende nuk kanë nisur që t’i përgatisin listat për deputetë.
Të premten në mesnatë është afati i fundit për koalicione, që duhet t’i dorëzojnë në koalicione.