Çfarë po ndodh në KQZ: Paqartësi të mëdha rreth certifikimit të kandidatëve, Daka ka një kërkesë

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar diskutimi rreth procesit të certifikimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Zyra për regjistrimin e partive politike i ka dërguar një rekomandim KQZ-së për të certifikuar listat e partive politike ashtu siç janë. Yll Buleshkaj ka thënë se qasja e zyrës që drejton është gjithpërfshirja para largimit.

Përfaqësuesi i kësaj zyre në mbledhje ka thënë se nuk kanë pasur kapacitete që të verifikojnë të gjitha informacionet e marra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se një rekomandim i tillë nuk thotë asgjë rreth asaj se kush i përmbush kërkesat dhe kush jo.

Ajo thotë se është detyrë e zyrës që të respektojë të gjitha dispozitat e Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet.

Si pasojë e kësaj Daka ka thënë se zyra për certifikimin e partive politike duhet të sjellë të gjithë dokumentacionet dhe komunikimin e kësaj zyre me të gjitha institucionet tjera.

Daka tutje ka thënë se është e paqartë se çfarë do të ndodhë edhe me partitë politike të cilat i kanë zëvendësuar kandidatët të cilët janë gjetur se kanë probleme me ligjin.

Buleshkaj ndërkohë ka thënë se nuk i kanë obliguar partitë që të heqin kandidatët nga listat, por vetëm ka qenë njoftim dhe se largimi ka mbetur ne vullnetin e partive politike.

Edhe përfaqësuesi i LDK-së ka kërkuar dokumentacione shtesë të Zyrës për certifikimin e partive. Derisa përfaqësuesi i VV-së ka thënë se rekomandimi i ZRPPC-së është i drejtë dhe duhet të votohet