Në këtë orë votohet për certifikimin ose jo të kandidatëve që kanë probleme me ligjin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë vendim sot në orën 17:30 për procesin e certifikimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, e cila tha se deri atëherë do të jenë gati dokumentet shtesë që kanë kërkuar.

Ndryshe, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar diskutimi rreth procesit të certifikimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Zyra për regjistrimin e partive politike (ZRPPC) i kanë dërguar një rekomandim KQZ’së për të certifikuar listat e partive politike ashtu siç janë.

Yll Buleshkaj ka thënë se qasja e zyrës që drejton është gjithpërfshirja para largimit.

Përfaqësuesi i kësaj zyre në mbledhje ka thënë se nuk kanë pasur kapacitetet që të verifikojnë të gjitha informacionet e marra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Zyra nuk ka arrit te zbatoje ne plotën për piken q. Për atë arsye zyra iu rekomandon qe ta certifikoni listën ashtu siç është Nuk kemi kapacitete qe te verifikojmë informatat qe  na ka dërguar KGJK-ja. Qasja është gjithperfshirja para largimit”, ka thënë Yll Buleshkaj nga kjo zyrë.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se një rekomandim i tillë nuk thotë asgjë rreth asaj se kush i përmbush kërkesat dhe kush jo.

Ajo thotë se është detyrë e zyrës që të respektojë të gjitha dispozitat e Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet.

Si pasojë e kësaj Daka ka thënë se zyra për certifikimin e partive politike duhet të sjellë të gjithë dokumentacionet dhe komunikimin e kësaj zyre me të gjitha institucionet tjera.

“Nga ky rekomandim nuk e kemi te qarte se kush i plotëson kushtet nga kandidatet dhe kush jo. Unë para vetes e kam një rekomandim se a I përmbushin këta kandidate kriteret. Se kemi te qarte se kush I përmbush kërkesa dhe kush jo. Kjo është detyra e pare e zyrës, qe I pranon dokumentet. I verifikon dhe I klasifikon. Dhe pastaj e bën rekomandimin, gjithmonë duke u respektuar dispozitat e nenit 29.Kisha dashtë qe neve ten a sillen dokumentet. Ne kemi një rekomandim qe nuk thotë asgjë”, ka thënë Daka