Bekim Jashari: Familja Jashari bëri rezistencë 45 minuta dhe zmbrapsi forcat elitare serbe

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari bashkë me përfaqësues të OVL-UÇK-së kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Në 24 vjetorin e sulmit të dytë nga forcat serbe ndaj kësaj familje në Prekaz, Jashari tha se u ndaj sulmit tinëzar të forcave elitare serbe, gra, burra e fëmijë në atë kohë bën rezistencë.

Pas homazheve në vendin ku prehën më shumë se 50 trupa të vrarë, Bekim Jashari tha se është nder, e obligim institucional që të kujtohet e kaluara me plot sakrifica.

“Një sulm që është bërë në mënyrë tinëzare pas syfyrit të asaj kohe, ku në shtëpi atë nate kanë qëlluar gjyshi me fëmijët, të cilët ishin më i madhi fëmijë, djali i dytë i axhës Adem, Fitimi, pastaj më të vegjël se ai, Besim, Kushtrim, Igballe e Blerim dhe babai Hamza në shtëpinë e fjetjes me gratë e vajzat dhe fëmijët tjerë. Që bën një rezistencë afërsisht 45 minuta ku i zmbrapsen ato forca atë njësi elite, se sipas informacionit flitet që ka qenë vetë Akani me njësitin e tij. Axhë Ademi nuk ka qenë në shtëpi atë ditë, me të dëgjuar të shtënat ka ardhur në shtëpi me shokët e tjerë, por që sulmi kishte përfunduar dhe kanë vazhduar jetën e tyre”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku u shpreh se pushtuesi serb para 24 vitesh ka tentuar që të arrestojë në mënyrë tinëzare Adem Jasharin dhe të tjerët.

“Por, këto janë zmbrapsur me 22 janar të vitit 1998, gjë që kanë parë se këtu ka rezistencë dhe është dashur që aty të vijnë me forca më të shtuara me 5,6,7 mars e kanë sulmuar me taksa dhe atelieri familjen Jashari. Por, në atë kohë rezistenca e familjes Jashari ka bërë që nuk mund të pushtohet kollaj ky vend. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që këto vlera, këto sakrifica përveç që duhet t’i nderojnë duhet edhe të përkujdesen për to që sot e kësaj dite Kompleksi i Jasharajve, por edhe komplekse të tjera nuk janë të rregulluara dhe të mirëmbajtura nga institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.

Para 24 vitesh, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari kishin lëvizur forca të policisë serbe të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Por meqë atë natë Ademi nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë ndaj këtij sulmi kishte bërë Shabani, Hamza me nipa e mbesa.