BE pritet të godas me sanksione kompani që po e ndihmojnë luftën e Rusisë, njëra është nga Serbia

Bashkimi Evropian po përgatitet të sanksionojë firmat ushtarake dhe teknologjike nga Kina, Kazakistani, Serbia dhe vende të tjera që ndihmojnë përpjekjet luftarake të Rusisë, sipas një dokumenti të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Rusia ka arritur të kapërcejë sanksionet gjithëpërfshirëse të teknologjisë së BE-së dhe SHBA-së që synojnë të shuajnë kompleksin e saj ushtarako-industrial duke ridrejtuar mallrat thelbësore si mikroprocesorët përmes vendeve të treta miqësore, si Kina.

Perëndimi ka qenë i kujdesshëm deri më sot në lidhje me shënjestrimin e kompanive në vendet e treta nga shqetësimi për të mos acaruar raportet me liderët, duke zgjedhur në vend të kësaj diplomacinë. Por me rritjen e prodhimit të raketave dhe armëve të tjera nga Rusia me çipa të prodhimit perëndimor, presioni po rritet ndaj Brukselit dhe Uashingtonit për të ndërmarrë veprime.

Tani, para përvjetorit të dytë të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, BE-ja pritet të shpallë një paketë të 13-të të sanksioneve të lidhura me Rusinë që synon subjektet në gjashtë vende të huaja, sipas dokumentit të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Objektivat përfshijnë katër firma nga Kina dhe nga një nga Kazakistani, Serbia, India, Singapori, Sri Lanka, Tajlanda dhe Turqia anëtare e NATO-s. Në përgjithësi, janë 21 subjekte në listë, pjesa tjetër e të cilave janë të vendosura në Rusi.

Subjektet e përfshira në listë nuk janë përfundimtare dhe kompanitë dhe personat shtesë mund të shtohen ose hiqen përpara se të miratohet një version përfundimtar.

Brukseli deri më tani ka sanksionuar tre firma kineze në paketat e kaluara dhe ka qenë në diskutime me Pekinin mbi rolin në rritje të Kinës në furnizimin e kompanive ruse me pajisje jo vdekjeprurëse, por të dobishme ushtarakisht.

Importet ruse të mallrave me përdorim të dyfishtë përmes firmave me bazë në Azinë Qendrore dhe Kinë janë rritur në qiell që nga fillimi i luftës, duke përfshirë pajisjet elektronike dhe komponentët e prodhuar nga kompanitë perëndimore, si mikroçipet dhe dronët.

Gjatë një vizite në Kinë në dhjetor, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian Charles Michel paralajmëruan udhëheqësin kinez Xi Jinping që të adresojë një listë prej 13 kompanish të identifikuara nga Brukseli që pretendohet se janë të përfshira në furnizimin e firmave ruse

Katër firmat kineze në draft paketën aktuale të sanksioneve përfshijnë: Guangzhou Ausay Technology Co Limited, Shenzhen Biguang Trading Co. Limited, Yilufa Electronics Limited dhe RG Solutions Limited me bazë në Hong Kong.

Nëse përfshihet në versionin përfundimtar, firma me bazë në Serbi Conex Doo Beograd-Stari Grad do të ishte kompania e parë nga vendi ballkanik që do të përfshihej në një paketë sanksionesh të BE-së lidhur me luftën në Ukrainë.

Elem Group me bazë në Almaty do të jetë gjithashtu kompania e parë nga Kazakistani që do të jetë në një paketë nëse nuk hiqet pas diskutimeve javën e ardhshme ndërsa ambasadorët e BE takohen për të finalizuar listën. Dy firma kazake u përfshinë në një draft version të paketës së 12-të të sanksioneve të parë nga Radio Evropa e Lirë në nëntor, por nuk u përfshinë në versionin përfundimtar.

Elem Group u shtua në Listën e Entiteteve të Departamentit të Tregtisë së SHBA-së në dhjetor dhe një hetim i RFE/RL në qershor zbuloi se kompania kishte dërguar qindra pjesë me përdorim të dyfishtë tek tregtari i elektronikës me qendër në Shën Petersburg, Streloi E-Kommerts.

Streloi E-Kommerts u godit me sanksione nga Departamenti Amerikan i Thesarit në dhjetor, i cili tha se kompania ishte pjesë e rrjetit të prokurimeve ushtarake të Rusisë.

Elem Group ka mohuar çdo keqbërje dhe Ministria e Ekonomisë Kombëtare e Kazakistanit pretendoi në dhjetor se kompania nuk ka qenë duke tregtuar me subjekte të huaja që nga maji.

Kompania u themelua në Kazakistan më pak se tre javë pas pushtimit të Rusisë dhe një nga themeluesit e saj, biznesmeni rus Kirill Tulyakov, ishte gjithashtu një themelues i Streloi E-Kommerts.

Lista e re e sanksioneve, e cila përfshin kompani dhe individë, do të vazhdojë të debatohet në Bruksel, ndërsa blloku kërkon të rigjallëroj nivelet në rënie të mbështetjes dhe ndihmës perëndimore për Ukrainën