BARIU, FRATI DHE SAMARI (Ese)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Dikur moti, në një fshat malor, jetonte një njeri i moshuar që gjithë jetën e tij e kishte kaluar si bari. Që nga fëmijëria e deri në pleqëri, ai nuk kishte bërë tjetër veçse ishte kujdesur me zemër për kopenë e tij. Qengjat dhe delet i njihte me emër, ndaj edhe ua ndjente dhimbjen dhe gëzimin. Por ndonëse e kishte pasur një jetë të ndershme dhe të thjeshtë, asnjëherë nuk kishte shtegëtuar për të marrë pjesë në Kishë.

Në një të diel, tek rrinte vetëm me veten siq i thonin fshatarët, në majë të livadhit të Kishës, filloi të mendojë: “Po afrohem kah fundi i jetës… s’është mirë me i dalë Zotit përpara zemër bosh. Dua të kthehem kah Ai”.

Dhe kështu, vendosi që të dielën e ardhshme të shkonte për herë të parë në Kishën e fshatit të tij.

Kur hyri në Kishë, u ndje i emocionuar dhe paksa i huaj. Si njeri modest, u ul në fund, pa ia zënë kujt vendin. I shikonte njerëzit, të devotshëm, të përkushtuar në lutje. Edhe fratin që po e mbante meshën, e shikonte dhe e dëgjonte me respekt. Por, në mendjen e tij të thjeshtë, shfaqej një pamje e çuditshme. Atij i dukej sikur të gjithë besimtarët e pranishëm dhe vetë frati i mbanin mbi supe nga dy samara gomari. Ndërsa vetes, ndjente sikur kishte vetëm një samar të tillë.
Dhe atëherë, në heshtje, i tha vetes: “Qenka e padrejtë… Unë që kam qenë larg Zotit gjithë jetën, nuk mund të jem njësoj si këta. Duhet të bëj diçka më tepër”.

Kur shkoi në shtëpi, pati trubulenca, pra, nuk pati qetësi gjithë javën. Të dielën që pasoi, u ngrit herët, mori një samar të vjetër, atë që ua vinte ndonjëherë gomarit të tij kur e ngarkonte me barrë, dhe e vuri mbi supe. Pastaj mori rrugën për në Kishë.

Kur hyri brenda, të gjithë kthyen kokën. Disa u shtangën, disa qeshën dhe e përqeshën, e disa të tjerë u hutuan. Edhe frati, kur e pa, e humbi për një moment përqendrimin. Meshën e çoi deri në fund, por sapo përfundoi, i tha këshilltarëve të tij të Kishës:
“Ju lutem, këshilltarë, ndaleni atë burrë. Dua të flas me të”.

Kur e ndalën jashtë Kishës, frati iu afrua dhe i tha me mirësi:
“Vëlla i dashur, kush jeni ju dhe pse e ke sjellë atë samar mbi supe?”

Bariu u ndal, uli kokën pak dhe foli me zë të butë: “Unë jam një bari delesh, Ati im shpirtëror. Krejt jetën time e kam kaluar me kopenë, kurrë s’kam ardhë në Kishë. Po tani jam afër fundit dhe thashë ta kërkoj Zotin në Kishë me praninë e besimtarëve dhe praninë tuaj. Javën e kaluar erdha për herë të parë dhe ju pashë juve e të gjithë besimtarët me nga dy samara gomari mbi supe… ndërsa në vetën time ndjeva vetëm një – më pak, ose mangu. Prandaj, këtë javë e solla edhe një tjetër, që të jem i barabartë me ju”.

Frati u prek thellë. E përqafoi me gjithë zemër dhe i tha: “Vëlla i dashur, ti je më afër Zotit se sa shumë prej nesh. Nuk ke nevojë të vish në Kishë për të qenë i shpëtuar. Ti, duke u kujdesur me dashuri për qengjat tuaja, ke bërë punën që Zoti do më së shumti: ke ushqyer, ke mbrojtur, ua ke dhënë zemrën. Kthehu te delet e tua dhe vazhdo t’u shërbesh me përkushtim, se ti je mishërimi i Atit, i Birit dhe i Shpirtit Shenjt”.

Pastaj frati u ndal pak dhe me përvujtëri shtoi: “Unë, për mëkatet e mia dhe mëkatarëve të tjerë, i mbaj dy samara mbi supe. Ti je më i pastër se unë.”

Bariu e dëgjoi me lot në sy, i puthi dorën fratit dhe tha: “Faleminderit, At i bekuar, për fjalën, bekimin dhe për dritën që ma solle në shpirt.”

Pastaj mori samarin e tij dhe u kthye drejt fushës, te delet, qengjat dhe, siç thoshte ai, te misioni që Zoti ia kishte dhënë me dorën e Tij.

Klinë, me 18 korrik 2025.

E degjuar nga gjyshi dhe e ri’shkruar nga unë….