Engel thirrje SHBA-së: Ndaloni bashkëpunimin me Specialen nëse ndjeken vetëm shqiptarët

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Engel i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ekzaminohet puna e Speciales dhe nëse ndiqen vetëm shqiptarët të ndalohet bashkëpunimi.

“Bëj thirrje të ekzaminohet puna e Dhomave të Specializuara në mënyrë që të sigurohet se nuk po targetohen vetëm njerëzit në baza etnike dhe të ndërpritet bashkëpunimi dhe mbështetja e SHBA-së ndaj këtij tribunali nëse diçka e tillë vërtetohet”, ka thënë Engel.

Engel thotë se Thaçi ka treguar respekt për sundimin e ligjit me dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u ballafaquar me akuzat e Speciales, teksa ai shton se Kongresi do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale për të siguruar se ajo garanton sundim të ligjit dhe të drejtat e të akuzuarit në çdo rast.

Ai ka shprehur shqetësimin mbi mandatin e Speciales. Sipas tij, statuti mbi të cilin është ngritur ajo nuk e limiton gjykimin vetëm të shqiptarëve.

“Mjerisht, duket se ajo po operon si një gjykatë etnike – një që ndjek vetëm shqiptarët për kryerje krimi”, ka thënë Engel.

Ai ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, për të cilët thotë se “nuk kanë gjetur drejtësi, edhe pse kryesit janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi”.