Bahtjari dhe Januzi deklarohen të pafajshëm para Gjykatës Speciale

Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë deklaruar të pafajshëm para Dhomave të Specializuara lidhur me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë për të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm për çdo lloj aktakuze që është ngritur kundër meje dhe që është lexuar deri tani”, ka deklaruar Januzi.

Në njoftimin që ka lëshuar ZPS-ja, Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale.

“Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në komunikatë.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”.