Babai i Triumf Rizës: Gjyqësori po ma vret djalin për herë të dytë

Një vrasje që kishte tronditur Kosovën, ka ndodhur në gusht të vitit 2007, ku është vrarë polici Triumf Riza. Shefqet Riza, babai i policit të vrarë Triumfit, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se është i dëshpëruar që tash e 15 vite, sistemi i drejtësisë nuk po e dënon atë që e ka dhënë urdhrin për vrasjen e të birit.

Mos dënimi i urdhërdhënësit të vrasjes, Riza thotë se është vrasje e dytë për djalin e tij.

“Unë si prind i djalit tim të vrarë, nuk jam shumë i kënaqur me sistemin e drejtësisë dhe të them të vërtetën po më vjen sikur gjyqësia për së dyti po ma vret djalin. Po na vjen shumë rëndë kjo që ende nuk ka një aktgjykim përfundimtar. Kjo nuk ja di kush skajin kur mundet me marrë, për shkak se këta kanë të drejtë me ligj të ankohen vazhdimisht mbrojtësit e palës së akuzuar. Kështu që, më të vërtetë po zgjatë, është një proces që ka zgjatë shumë shumë dhe kur ky proces zgjatë kaq shumë, për një polic të vrarë elitar, atëherë nuk e kuptoj me rastet tjera sa zgjasin e qysh zgjasin. Nuk është veç rasti im, po vrasjet e rënda, krimet e rënda duhet shumë më shpejtë të zgjidhen”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Riza u shpreh se është e pakuptimtë se pse rasti i vrasjes së djalit të tij po zvarritet dhe nuk po merret një vendim përfundimtar.

Si kryerës i kësaj vrasje është shpallur fajtor Arben Berisha, i cili për vrasjen e policit është dënuar me 35 vjet burgim, dënim i cili është bërë i formës së prerë. Mirëpo, Berisha nuk ishte personi i vetëm i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Rizës. Pak vite më vonë ishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Enver Sekiraqës, i cili dyshohet se ka shtyrë të dënuarin Berisha në vrasje të policit.

Sekiraqa dy herë është shpallur fajtor për “Nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë”, ku herën e parë është dënuar me 37 vite burgim, ndërsa herën e dytë me 30 vite burgim. Gjykata e Apelit në mars të vitit 2020 rastin e ka kthyer në rigjykim për herë të dytë.

Aktualisht rasti ende është në procedurë dhe pa epilog final.