Avokatja e Krasniqit kërkon që ai të lirohet për dy javë: Është 72-vjeçar, asnjë dëshmitar s’ka folur keq për të

Avokatja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Venkateswari Alagendra, ka kërkuar që Krasniqi të lirohet përkohësisht për të kaluar pak kohë me familjen e tij në Kosovë. Kërkesa e saj është që ai të lirohet për dy javë, nën mbikëqyrje.

Alagendra pretendon se paraburgimi i Krasniqit s’është i domosdoshëm, pasi s’ka rrezik për t’u arratisur dhe për të penguar në procedurat gjyqësore, si dhe sipas saj s’ka asnjë provë konkrete se ndonjë dëshmitar është frikësuar nga Krasniqi.

“Deklaratat publike të z. Krasniqi janë ushtrim i fjalës së lirë dhe jo të mjaftueshme për të treguar një prirje ndaj ndërhyrjes në dëshmitarë”, thuhet në parashtresën e avokates Alagendra.

“Mungesa e ndonjë prove faktike që z. Krasniqi ka qenë i përfshirë në ndonjë kërcënim të dëshmitarit në këtë procedurë vë në pikëpyetje nevojën për paraburgim të vazhdueshëm”, thuhet në parashtresë.

“Prokuroria ka thirrur deri tani 11 dëshmitarët e saj të parë. Askush nuk ka folur keq për z. Krasniqi. [REDAKTUAR]. Provat që Paneli ka dëgjuar nuk e mbështesin atë karakterizimin e z. Krasniqi si person që ka gjasa të ndërhyjë në dëshmitar ose të kryejë krim të mëtejshëm. Për më tepër, është e vështirë të kuptohet se çfarë imagjinon Prokuroria se do të ishte motivimi i z. Krasniqi për t’i frikësuar dëshmitarët e mbrojtur të viktimave në këtë rast – shumica dërrmuese e të cilëve, siç do të ketë vërejtur Trupi Gjykues, nuk e përmendin fare z. Krasniqi ose të thonë thjesht se e dinin se ai ishte ai zëdhënës i UÇK-së”, thuhet në parashtresë.

Ajo po ashtu ka theksuar se “Paneli tani ka një përvojë të vëzhguar efektin e paraburgimit dhe gjykimit të zgjatur për z. Krasniqi”.

“Në moshën 72 vjeçare, ai është dukshëm më i vjetër se të akuzuarit tjerë në këtë rast”, ka shkruar avokatja Alagendra.

Në alternativë, Mbrojtja kërkon që, nëse lirimi i përkohshëm refuzohet, Krasniqit t’i lejohen “vizita shtesë private në Njësinë e Paraburgimit gjatë pushimeve verore”, për të pasur kohë shtesë për të kaluar me familjen.