Avokatët e Hashim Thaçit në Hagë kërkojnë të tërhiqen nga mbrojtja, arsye mospagesa

Avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.

Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në kërkesën e publikuar më 19 janar të këtij viti. Aty përmendet edhe rregullorja sipas së cilës kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Po ashtu, nga avokatët është kërkuar që gjatë kësaj periudhe të gjitha kostot e nevojshme të merren përsipër nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.