Autoshkollat sot në protestë, kërkohet rifillimi i punës

Federata e Autoshkollave të Kosovës mban sot protestë për shkak se Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit nuk po mundëson mbajtjen e provimeve.

Siç bëhet e ditur, rreth 100 vetura të autoshkollave do të defilojnë nga Fakulteti Teknik deri te Ministria e Infrastrukturës.

Ndërkaq, javë më parë, ministri i Infrastrukturës, Armend Zemaj, është takuar me kryetarin e Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli dhe përfaqësuesit e tjerë, Afrim Islami dhe Driton Presheva, ku kanë diskutuar për mundësinë e hapjes, por që ende nuk është marrë një vendim për rifillim të punës.

Vendimi për mbylljen e autoshkollave dhe anulimin e paraqitjes së provimeve të kandidatëve për patentë shofer, është marrë me 12 mars nga qeveria e kaluar.

“Duke kërkuar mirëkuptim nga kandidatët për patentë shofer, autoshkollat dhe opinionin publik, njofton se në konform masave parandaluese rreth koronavirusit, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga sot (12 mars), ndërprehet paraqitja e provimeve dhe testimi i kandidatëve për patentë shofer nga pjesa teorike dhe praktike në të gjitha Njësitë Regjionale të Patentë Shoferëve në përputhje me vendimin e Qeverisë për masat parandaluese kundër koronavirusit”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.