Arrestohen dy persona për vjedhje në një shkollë në Pejë

Policia në Pejë ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë hyrë në Shkollën e Mesme të Ulët “8 marsi” në Pejë, dhe nga aty kanë vjedhur dy televizora dhe një lap-top, dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Rasti ishte raportuar në Polici dy ditë më parë ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar sot.

Policia ka njoftuar se ata dyshohen për veprat penale “vjedhje e rëndë”, “blerja, pranimi ose fshehja e sende te përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “mbajtje në pronësi kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuara të armës”.

Pas intervistimit të personit të dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, është bërë bastisja e shtëpisë së personit i cili kishte blerë sendet e vjedhura nga i dyshuari, të cilat janë sekuestruar tre televizora, dy lap-top dhe një tastaturë.

Gjatë bastisjes tek i dyshuari (blerësi i sendeve) është gjetur arma e tipit “Zoraki” kalibër 7.65 mm, një karikator i së njëjtës armë dhe dy fishekë të kalibrit 7.65mm, të cilat gjithashtu janë sekuestruar.

Personave të dyshuar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

SHARE