Arben Beqiri: Jam diagnostikuar me tumor në lukth dhe kam nisur kimioterapinë, jam i bindur që do t’ia dalë!

Njëri ndër portierët më të mirë në Kosovë, Arben Beqiri, po kalon nëpër një periudhë shumë të vështirë.

Ai është diagonistikuar me tumor në lukth dhe ka nisur kimioterapinë.

Duke folur për gazetën, portieri i Trepçës ’89 shprehet optimist që do t’ia dalë.

“Jam diagnostikuar me tumor në lukth. Kam nisur kimioterapinë dhe besoj plotësisht që do t’ia dalë”, deklaroi Beqiri ekskluzivisht për Gazetën Olle.

“Unë prej muajit nëntor nuk jam duke stërvitur me skuadrën, për shkak të këtij problemi shëndetësor”, shtoi Beqiri.
Gardiani mitrovicas pret që brenda tre muajsh të rikuperohet dhe të rikthehet në fushën e blertë.

“Nuk do të mund të stërvitem edhe për dy muaj. Nëse më shkon puna mirë, atëherë në mars do të rikthehem në fushë”, theksoi Beqiri.

Ai ka mbyllur prononcimin duke u shprehur shumë optimist që do t’ia dalë të mposhtë sëmundjen.

I gjithë komuniteti futbollistik i vendit, do ta mbështetë fuqishëm Beqirin drejt triumfit edhe në këtë sfidë!

“Eksperti i penalltive”, siç njihet në vend Beqiri, prej vitesh është mes portierëve më të mirë të futbollit kosovar.

Ai ka luajtur për skuadra të ndryshme me nam si Trepca ’89, Besa, Llapi e të tjera.
Me ekipin pejan, para tri vjetësh Beqiri fitoi edhe Kupën e Kosovës, madje duke qenë heroi i ndeshjes, pasi priti disa penallti.

Shpresojmë që ta shohim Beqirin duke flutuaruar mes shtyllave, sa më shpejtë! /Gazeta Olle/