Akuzohet mësuesja nga Klina për dhunë fizike ndaj një nxënëse

Prindi i një vajze shtatë vjeçare ka akuzuar mësuesen e saj për dhunë fizike ndaj saj. Rasti ka ndodhur në Klinë dhe institucionet kompetente po thonë se po merren me rastin. Ndërkohë, mësuesja e akuzuar e ka mohuar të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së klasës së parë

Që nga fillimi i mësimit nga dita e hënë pas kthimit nga pushimi dimëror Nazmi Kalludra nga Klina nuk e ka dërguar vajzën e tij shtatë vjeçare në shkollë.

Kjo sepse ai po akuzon mësuesen e saj se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij.

“Ka ushtru dhunë mësuesja ndaj saj, dy muaj rregullisht dhe e ka ndëshku shumë herë, kem bërë ankesë, nuk është marrë askush me neve”, ka thënë Kalludra.

Për shkak të gjendjes së krijuar ai po kërkon që vajza e tij të ndërroj klasën.

Po e kemi ndalë e më s’është në shkollë, kemi bërë ankesë të drejtori bile klasën me ndërru nuk ka marrë masa”, ka vijuar ai.

Mësuesja Vera Dedaj mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj vajzës por thotë se vetëm e ka qortuar.

“Kurrë në jetë nuk e kam rreh cikën, çortu e kam por me rreh nuk e kam rreh, me ma dhanë krejt dynjanë unë nuk e di që e kam rrah çiken”

Drejtori i shkollës “Ismet Rraci”, po thotë se ende janë duke i mbledh informacionet për rastin për të vendosur pastaj për rastin.

Ankesa nga ana e prindit është bërë dje, duhet ta shqyrtojmë ankesën mirë që pastaj edhe të marrim ndonjë masë sepse nuk mundem me marr masë vetëm pas kërkesës së prindit sepse mund të jetë interes vetëm i tij”

Premtim për ndërmarrje të veprimeve kanë dhënë edhe nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Klinës.

“Ne po mendoj në një afat të shkurtër do të marrim masat, do t’i marrim masat për t’i marrë versionet nga prindi, mësimdhënësi dhe nga drejtori. Si drejtor i arsimit jam kujdesur të kem parasysh pjesën e prindërve ankesën e tyre, sepse më shumë e marrim origjinalitetin e problemit nga prindërit”, ka thënë drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdija.

Gjatë të mërkurës, prindi i vajzës shtatë vjeçare rastin e ka lajmëruar edhe në Polici, derisa televizioni ka mësuar se është intervistuar mësuesja e akuzuar për dhunë ndaj nxënëses.