Aksion kundër drogës në Pejë: Sekuestrohet heroinë, arrestohet i dyshuari 35-vjeçar

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike,

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në Pejë, ku Policia ka zhvilluar aksion, që ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të heroinës dhe arrestimin e një personi të dyshuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për V.Berisha, i cili u ndalua dje në rrugën “Papa Klementi”, derisa po lëvizte me veturën e tij.

Droga u sekuestrua nga zyrtarët policorë, ndërsa i dyshuari është prangosur dhe më pas shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit nën dyshimin për shitblerje të drogës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.