AAK vazhdon fushatën në Gllarevë, Elezaj kërkon besimin për një mandat tjetër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar takimet elektorale me qytetarët, duke mbajtur sot një tubim në fshatin Gllarevë të komunës së Klinës.

Në këtë takim, i pranishëm ishte shefi i shtabit zgjedhor të AAK-së, Haxhi Ibishi, i cili para banorëve të fshatit shpalosi pikat kryesore të programit zgjedhor të partisë. Ai theksoi përkushtimin e AAK-së për zhvillim ekonomik lokal, përmirësim të infrastrukturës dhe mbështetje për bujqësinë.

Pas tij, me një fjalë rasti u paraqit edhe kryetari aktual i komunës, Zenun Elezaj, i cili njëherësh është edhe kandidat për një mandat të dytë. Elezaj foli për punët dhe projektet që janë realizuar gjatë mandatit të tij të parë, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për të vazhduar atë që e quajti “rrugë të zhvillimit të qëndrueshëm”.

Ai theksoi se angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve do të mbetet prioritet edhe në mandatin e ardhshëm, duke u zotuar për projekte të reja dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje./Klina info/