A është ‘gjallë’ propozimi i AAK-së që secilit qytetar t’i jepen 100 euro?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në kohën kur ishte opozitë gjatë Qeverisë Kurti, përkatësisht në muajin prill, kishte propozuar që secili qytetar i vendit të kompensohet me 100 euro në kuadër të pakos emergjente për t’u ballafaquar me pandeminë COVID-19.

Por me formimin e Qeverisë së re të përbërë nga LDK-AAK-Nisma dhe Lista Serbe, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk është zmbrasur nga ky propozim.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com ka deklaruar se kanë zhvilluar bisedime që ky propozim të përfshihet në Pakon e Rimëkëmbjës, por që thotë se, njëherë do të implementohet pakoja e Qeverisë paraprake, për të cilën thotë se është realizuar vetëm 30 përqind.

“Në koordinim me paketën e re qe po përgatitë Qeveria e re e ashtuquajtura Pako e Rimëkëmbjes do te koordinohemi qe mbështetja sa ma e shpejtë dhe efikase te mbërrijë sa ma shpejte te sektori privat”, u shpreh Abrashi.

“Me emergjencë jemi dakordu që së pari të implementohet pakoja e Qeverisë paraprake e cila i ka realizu vetëm 30 përqind të pakos së proklamuar”, shtoi deputeti.

Më 14 prill, Abrashi në një konferencë për medie tha se në mungesë dhe pamundësi të paraqitjes së ekspozesë së AAK-së në seancën e jashtëzakonshme janë detyruar që këtë ta bëjnë përmes medieve duke e prezantuar propozimin për 100 euro.

“Sot në pamundësi që të japim ekspozenë e saj i kemi paraparë të jep dy pako. Pako e parë emergjente që i përfshinë të gjithë qytetarë. Për këtë kemi propozua që secili qytetarë të merr nga 100 euro nga shteti. Ketë ide e kanë përkrahë shumë shtete në përkrahje të individit”, kishte thënë ai, duke kritikuar se masat që kishte prezantuar Qeveria e kaluar nuk janë të mjaftueshme për krizën ekonomike.

Qeveria Kurti, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve në krye me Besnik Bislimin kishin prezantuar Pakon Fiskale Emergjente dhe Pakon e Rimëkëmbjen Ekonomike.

Disa nga masat kishin filluar të zbatohen, por tani pas ardhjes së Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, pakoja thuhet se nuk mund të zbatohetpasi që nuk ka mjete financiare.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 11 qershor, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nga 180 milionë euro të pakos emergjente janë shpenzuar vetëm rreth 60 milionë euro, pasi që nuk ka mjete financiare pa u bërë ndryshimet ligjore dhe rishikimi i buxhetit