LDK bën 33 vjet, Abdixhiku te varri i Rugovës: Po e ndjekim rrugën e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, me bashkëpartiakë, në 33-vjetorin e themelimit të këtij subjekti politik, kanë nderuar themeluesin dhe ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ata kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova.

Abdixhiku deklaroi se Rugova ishte prijës i shqiptarëve në periudhën më të vështirë për Kosovën ndërsa LDK-ja po ndjek rrugën e tij pasi, sipas tij, projekti i Rugovës për një Kosovë në NATO dhe Bashkimin Evropian ende nuk është jetësuar.

“Po shënojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 kur burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë të vendit, u rreshtuan prapa Rugovës dhe ndërtuan kështu programin më të madh politik shqiptar të fundshekullit të 20-të, lëvizjen për liri, pavarësi e për demokraci. Rruga e presidentit Rugova, e LDK-së, vazhdon të mbetet e njëjtë, ku projekti i nisur 33 vite më parë ende nuk është i përfunduar meqenëse Kosova duhet të bëhet shtet anëtar i NATO-së dhe BE-së dhe kështu t’i jap përfundim një ëndrre të nisur 33 vite më parë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sot janë bërë 33 vjet nga themelimi i LDK-së. Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtua që të themelonin një parti politike.

Ky grup caktoi kryesinë e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e figura të tjera të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe. /KSP