Konfirmohet buxheti i Dukagjinit për një edicion

KF Dukagjini këtë sezon u inkuadrua në Superligë pas 16 vitesh në rangun e dytë të futbollit të Kosovës.

Rikthimi në Superligë nuk iu doli ashtu edhe siç e kishin parashikuar, pasi rezultatet edhe pozita e fundit në tabelë janë shqetësuese për statusin e klubin në elitën e futbollit tonë.

Megjithatë, një anë tjetër pozitive është se gjendja e xhirollogarisë së klubit është stabile.

Mediumi informativ sportiv “Insporti” ka raportuar sot gjatë ditës se buxheti i Dukagjinit për një sezon është 330 mijë euro, ndërsa në paga të futbollistëve për një muaj shpenzohen 25 mijë euro.

Këto shifra i ka konfirmuar edhe presidenti i Dukagjinit, Fabian Veseli.

“Dukagjini ka një buxhet prej 330 mijë eurove, në paga të futbollistëve shpenzojmë 25 mijë euro. Ana financiare e klubit qëndron mirë, për faktin se edhe diaspora e qytetit tonë na ndihmon, së bashku me disa biznese këtu të Klinës, pa harruar edhe komunën”, deklaroi Veseli për Insportin.

Veseli  deklaroi edhe se është duke punuar së bashku me trajnerin, Severin Elezaj në disa transferime të mundshme që mund të ndodhin në afatin kalimtar të janarit.

“Jemi në bisedime me disa futbollistë, por ende asgjë nuk ka konkrete. Nga Dukagjini janë larguar disa futbollistë, por mund të largohen ende. Shpresojmë të sigurojmë mbijetesën në Superligë”, përfundoi ai.

Dukagjini sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e fundit me tetë pikë të grumbulluara, me një gol dallim -23. Ka shënuar vetëm gjashtë gola dhe ka pësuar 29 në 17 xhiro sa janë zhvilluar.

“Hithat” sezonin e filluan me trajnerin e mirënjohur, Xhengis Rexhepi por pas rezultateve jo të mira, ai u largua nga klubi me marrëveshje të dyanshme. Zëvendësues i tij është trajneri nga Klina, Severin Elezaj.

SHARE