Identifikohet një lokal në Skenderaj ku organizoheshin lojëra të fatit, intervistohet një i dyshuar

Skenderaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se është identifikuar një lokal në Skenderja, ku organizoheshin lojëra të fatit, ndërsa në cilësi të të dyshuarit është intervistuar një person.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të hënën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nën dyshimin e bazuar për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, në orët e mbrëmjes së datës 24 prill 2023, hetuesit policor në rrugën “Gjon Buzuku” në Skenderaj, kanë identifikuar një lokal ku ushtrohej veprimtari e lojërave të fatit”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, në lokalin ku dyshohej për veprimtari të dyshimtë, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar: televizor, shtëpiza të kompjuterëve dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë si dëshmi për rastin në fjalë

“Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarit është intervistuar një person i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.