Zyrtarisht nis fushata për zgjedhjet lokale, Esat Raci i vendosur për qeverisje të drejtë

 
 

Sot zyrtarisht nis fushata elektorale për zgjedhjet lokale 2021 në Republikën e Kosovës. Për herë të parë Esat Raci nga radhët e PDK-së synon të qeverisë me Klinën.

 

Raci përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar një shkrim në të cilin ka treguar edhe qëllimet e tij, duke thënë se dëshiron të ofrojë një model të ri qeverisës, ku qytetaret janë ata që krijojnë vizionin dhe marrin pjesë aktive në vendimmarrje bashkë me institucionet, për të tashëm dhe të ardhmen e Komunës.

 

Duke shtuar se është i vendosur fortë që qeverisja të jetë për qytetarin pa asnjë dallim

 

Ky është publikimi i tij i plotë:

 

Po hymë në një fushatë zgjedhore, në kushte jo të zakonshme për shkak të Covid19. Gjithsesi, unë si kandidat për kryetar, i nominuar nga PDK, do të mundohem që në këtë periudhë duke respektuar të gjitha masat anti Covid, të komunikoj drejtpërdrejti më secilin prej jush, qoftë në takime direkte, qoftë duke shfrytëzuar mjetet alternative te komunikimit.

 

Gjithmonë kam besuar, që qeverisja më e mirë është qeverisja që bashkon qytetarët. Prandaj gjatë gjithë angazhimit tim politik dhe institucional jam munduar ta ruaj komunikimin e vazhdueshëm më qytetarët, afërsia ime me ju dhe sidomos ndjeshmëria ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për përkrahjen e institucioneve, më ka bërë ky që jam sot.

Unë nuk di, dhe nuk dua të qeverisë ndryshe, qëllimi im në këto zgjedhje është të ofrojë model të ri qeverisës, ku qytetaret janë ata që krijojnë vizionin dhe marrin pjesë aktive në vendimmarrje bashkë me institucionet, për të tashëm dhe të ardhmen e Komunës.

 

Një qeverisje që u jep mundësi të rinjve të shfaqin talentin e tyre, të kenë mundësi ta ndërtojnë të ardhmen siç ata e duan, të ndjehen pjesë e qeverisjes.

Një qeverisje që ka ndjeshmëri maksimale për ata që kanë më shumë nevojë për përkrahje nga institucionet. Një qeverisje, që punon çdo ditë që të ndihmojë bizneset lokale, për ambient më të mirë pune e zhvillimi. Një qeverisje që kupton drejt rendësin dhe rolin e madh të biznesit në rritjen e mirëqenies për të gjithë ne, e sidomos në zbutjen e papunësisë.

 

Një qeverisje që ka vesh për të dëgjuar qytetarët, mësimdhënësit, mjekët, punëtorët, bizneset, të rinjtë, gratë, të varfrit, saktësisht secilin prej jush. Një qeveri lokale që ka vullnet të përpiqet maksimalisht që të gjejë zgjidhje për nevojat e juaja, të bashkëpunoj e të vendos se bashku më ju për politikat dhe zhvillimin e të gjithë segmenteve të jetës, ku kjo qeveri lokale do të ketë ndikim.

Jam i vendosur fortë që qeverisja të jetë për qytetarin pa asnjë dallim. Andaj sot, e më këtë rast dua të bëjë vetëm një premtim konkret: me qeverisjen time një herë e përgjithmonë do ti japim fund projekteve politike, me qellim kushtëzimin e votës, e të besimit qytetarë me buxhetin e komunës. Mbamëni për fjale.

 

Jam i vetëdijshëm, që një qeverisje e tillë nuk është e lehtë për tu realizuar, por jam po ashtu i bindur se bashkërisht më qytetarët dhe me një ekip që ka dije, vullnet dhe përkushtim mund ta realizojmë.

Na priftë e mbara!

 

 

Artikull i sponsorizuar