Petrit Hajdari largohet nga drejtimi i PDK-së në Drenas

Petrit Hajdari ka njoftuar se është larguar nga drejtimi i Degës së PDK-së në Drenas, pas kërkesës së kryetarit të partisë, Bedri Hamza.

Përmes një reagimi publik, Hajdari ka thënë se vendimin e ka marrë duke mos dashur t’u bëhet pengesë proceseve të nevojshme brenda partisë, ndërsa ka theksuar se angazhimin e tij do ta vazhdojë në kryesinë qendrore të PDK-së.

Ai ka vlerësuar lart rezultatin e Degës së PDK-së në Drenas në zgjedhjet e fundit nacionale.

Të dashur qytetarë të Drenasit dhe mbështetës të PDK-së,

Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së.

Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm.

Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore.

E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë. Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë.

E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim.

U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë.

Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë.

Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit, sepse vetëm ajo mbetet kur çdo gjë tjetër kalon.
I falenderoj qytetarët e Drenasit dhe secilin që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin dhe mbështetjen.

Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim.

Ka qenë nder për mua t’i shërbej vizionit për një Kosovë më të mirë, trashëgimisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit.

I juaji,
Petrit E. Hajdari