Siguria në komunikacion, ligjëratë vetëdijësuese për nxënësit në Klinë

Njësia Rajonale e Komunikacionit në Pejë ka mbajtur një ligjëratë vetëdijësuese për nxënësit në kuadër të projektit “Siguria në Komunikacion”, shkruan Klina info.

Gjatë aktivitetit, nxënësit nga Qendra për Karrierë IAAP “Fehmi Agani”, në Klinë u këshilluan të përdorin rrugë të sigurta, të lëvizin në grup dhe të respektojnë rregullat e trafikut, si përdorimi i vijave të bardha dhe shmangia e telefonit gjatë ecjes.

U theksua gjithashtu rëndësia e komunikimit me prindërit dhe kërkimi i ndihmës në raste pasigurie.

Organizatorët falënderuan Togerin Agim Pantina dhe Agnesa Behrami për kontributin në rritjen e vetëdijes dhe sigurisë së nxënësve.

Njoftimi i plotë:

Projekti Siguria në Komunikacion nga Njesia Rajonale e Komunikacionit në Pejë

Këshilla për sigurinë gjatë rrugëtimit për në shkollë janë shumë të rëndësishme për çdo nxënës. Gjithmonë zgjidh një rrugë të sigurt dhe të njohur, dhe shmang rrugicat e errëta ose vendet e izoluara. Nëse është e mundur, udhëto me shokë ose në grup, pasi kjo rrit sigurinë. Respekto rregullat e trafikut: ec në trotuar, përdor vijat e bardha për kalim dhe shiko në të dyja anët para se të kalosh rrugën. Mos përdor telefonin gjatë ecjes, sepse të shpërqendron dhe rrit rrezikun. Nëse ndihesh i/e pasigurt, kërko ndihmë nga një i rritur ose një person i besueshëm. Gjithashtu, informo prindërit për orarin dhe rrugën që ndjek çdo ditë. Siguria fillon nga kujdesi dhe vëmendja jonë.

Faleminderim për Togerin Agim Pantina dhe Agnesa Behrami për ligjëratën mbi sigurinë, duke përfshirë këshillat dhe udhëzimet për nxënësit lidhur me rregullat e trafikut dhe sjelljen e sigurt në rrugë. Kontributi juaj është shumë i vlefshëm për rritjen e vetëdijes dhe sigurisë së të rinjve.