Nxori pistoletën në restorant në Istog për “live” në telefon – ndërhyjnë policët, qytetarët të alarmuar

,Një incident i pazakontë ka ndodhur në Istog, ku një person ka nxjerrë armën në një lokal, duke shkaktuar panik te klientët, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 30 prill 2026 rreth orës 14:35, ku i dyshuari Sadik Blakaj (61 vjeç), teksa po qëndronte në një restorant duke konsumuar kafe dhe alkool, ka nxjerrë nga brezi një pistoletë.

Sipas deklarimit të tij, arma ishte me leje valide, por ai nuk kishte të drejtë bartjeje. Ai ka thënë se e kishte nxjerrë për t’ua treguar disa personave të panjohur me të cilët komunikonte përmes një platforme online, pasi sipas tij ishte ndjerë i kërcënuar dhe kishte tentuar t’i frikësonte duke e vendosur armën para kamerës së telefonit.

Megjithatë, veprimi i tij ka shkaktuar frikë te klientët në lokal, të cilët e kanë raportuar rastin në mënyrë anonime në Polici.

Pas mbërritjes së njësive policore, i dyshuari e ka dorëzuar armën pa rezistencë dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog për intervistim.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet nën hetime