Nxënësi nga Klina, Loris Dedaj kualifikohet në garën ndërkombëtare “Hippo The Contest 2026”, do ta përfaqësojë Kosovën në Itali

Një sukses i jashtëzakonshëm ka ardhur nga SH.F.M.U. “Motrat Qiriazi” në Klinë, ku nxënësi i klasës së katërt, Loris Dedaj, ka arritur të kualifikohet në fazën rajonale të garës ndërkombëtare të gjuhës angleze “Hippo The Contest 2026”.

Loris ka kaluar me sukses dy faza të rëndësishme të kësaj gare prestigjioze – “Preliminary Round” dhe “National Finals”, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në “Regional Round”, që do të mbahet në Venecia të Italisë.

Në këtë fazë, ai do ta përfaqësojë Kosovën përballë garuesve nga vende të ndryshme të botës, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe punën e palodhshme në gjuhën angleze.

Nga shkolla “Motrat Qiriazi” kanë shprehur krenarinë për arritjen e nxënësit të tyre, duke i uruar suksese të mëtejshme në garën që do të mbahet në Venecia.

“Suksese në Venecia, Loris!” – është mesazhi mbështetës që po e shoqëron këtë arritje të veçantë.