Balaj: Leonard Dedë Palucaj, simbol i sakrificës dhe lirisë së përjetshme

Janë bërë 27 vjet nga rënia heroike e Dëshmorit të Kombit, Leonard Dedë Palucaj, një nga bijtë më të dalluar të kësaj treve, i njohur për guximin dhe përkushtimin e tij të palëkundur për lirinë.

Me këtë rast, sot në Klinë janë zhvilluar aktivitete përkujtimore në nder të tij, shkruan Klina info.

Bashkëluftëtarë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë kanë bërë homazhe pranë varrit të dëshmorit, duke vendosur kurora me lule dhe duke nderuar sakrificën e tij.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Klinë, Hajdin Balaj, ka vizituar familjen Palucaj.

“Leonard Dedë Palucaj mbetet simbol i sakrificës dhe i dashurisë për atdheun. Ai dha jetën për një të ardhme më të lirë për të gjithë ne. Është obligim i yni që të mos harrojmë kurrë veprën dhe idealin e tij, duke e përcjellë atë brez pas brezi. Lavdi e përjetshme për Leonardin dhe për të gjithë dëshmorët e kombit!”, theksoi ai.

Përkujtimi i tij mbetet një dëshmi e gjallë e rrugës së vështirë drejt lirisë dhe një thirrje për unitet e përkushtim ndaj vlerave për të cilat ai dhe shumë të tjerë sakrifikuan gjithçka.