Ndue Pergjokaj largohet nga KF Dukagjini

Ka përfunduar bashkëpunimi ndërmjet Pergjokaj Ndue dhe KF Dukagjini. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ai përmes një njoftimi publik, ku konfirmon se sot është dita e fundit e angazhimit të tij me klubin klinas.

Në mesazhin e tij, Pergjokaj ka shprehur mirënjohje për drejtuesit e klubit, duke veçuar presidentin Fabian Veseli dhe drejtorin sportiv Korab Desku për besimin dhe korrektësinë gjatë bashkëpunimit.

Ai gjithashtu falënderoi stafin dhe futbollistët e KF Dukagjini, duke theksuar bashkëpunimin, përkushtimin dhe respektin e ndërsjellë gjatë gjithë periudhës së tij në klub.

Një falënderim i veçantë shkoi edhe për tifozët, të cilët, sipas tij, kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme dhe forcë e rëndësishme për ekipin.

“Largohem me kokën lart, me ndërgjegje të pastër dhe krenar për kontributin tim me dinjitet, përgjegjësi dhe karakter”, ka shkruar ai, duke shtuar se futbolli sjell sfida dhe ndryshime, por vlerat e punës dhe respektit mbeten gjithmonë.

Në fund, Pergjokaj i ka uruar KF Dukagjinit suksese në vazhdim dhe të mira në rrugëtimin e ardhshëm.