Republika e Kosovës, nga sot, del nga adoleshenca dhe hyn në epokën e pjekurisë shtetërore

(Në vend të urimit për ditëlindjen e 18-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Historia e Kosovës dardane nuk është thjeshtë një varg datash dhe ngjarjesh të renditura nëpër libra historik dhe libra të tjera kronikash. Ajo është një rrëfim i gjatë qëndrese, apo më konkret një udhëtim i vështirë nëpër shekuj, ku sakrifica dhe shpresa kanë ecur gjithmonë krah për krah njëra tjetrës. Pikërisht është historia e një toke që ka përjetuar pushtime, përplasje civilizimesh, padrejtësi e dhunë, por që kurrë nuk e humbi thelbin e vet – identitetin kombëtar, gjuhën shqipe, kujtesën historike dhe aspiratën për liri.

Për më shumë se pesë shekuj, Kosova ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ishte një periudhë e gjatë dhe e ndërlikuar, që solli ndryshime të thella shoqërore, ekonomike, fetare dhe kombëtare. Megjithatë, në ndërgjegjen e popullit shqiptar u ruajt vazhdimësia e identitetit. Në odat e burrave, në këngët e tyre epike, në lahutë e në çifteli, në besën si institucion moral, mbijetoi fryma e lirisë. Kosova mësoi të jetojë nën sundim, por kurrë të pajtohet me robërinë shpirtërore.

Në tetor të vitit 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike. Ushtria serbosllave hyri në Kosovë dhe pushtoi qytetet kryesore: Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe shumë qendra të tjera të saj. Ndërkohë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Por në atë moment historik për kombin shqiptar, Kosova padrejtësisht nga fuqitë e mëdha ndodhej nën pushtim ushtarak serb. Ndërsa në Vlorë ngrihej flamuri i lirisë, Kosova mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar.

Në vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vulosi këtë ndarje. Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan pa përfshirë Kosovën, e cila mbeti nën administrimin e Serbisë. Ky vendim i Fuqive të Mëdha ndikoi thellë në fatin historik të Kosovës gjatë gjithë shekullit XX, duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë politike dhe kombëtare.

Pas vitit 1918, me krijimin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, Kosova hyri në një periudhë të re represioni. U zbatuan politika e kolonizimit, konfiskimi i pronave dhe përpjekje të tjera të ndryshime demografike. Identiteti shqiptar u vu në shënjestër dhe e drejta për vetëvendosje u mohua.

Kosova në Luftën e Dytë Botërore përjetoi një periudhë dramatike ndryshimesh politike, ushtarake dhe shoqërore me çrast edhe shpërtheu lufta në shtator të vitit 1939, ndikimi i saj në Kosovë u ndie drejtpërdrejt pas prillit 1941, kur Mbretëria Jugosllave e asaj kohe u pushtua nga Fuqitë e Boshtit. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, territoret e saj u copëtuan midis shteteve fqinje dhe aleatëve të Gjermanisë administruese të asaj kohe. Kjo periudhë ishte tejet dramatike, pasi rryma të ndryshme politike dhe ushtarake përplaseshin pikërisht në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme brenda saj. Konfliktet ideologjike, interesat kombëtare dhe përplasjet ndërmjet forcave të ndryshme krijuan një realitet të ndërlikuar e të paqëndrueshëm.

Luftën e ashtuquajtur Nacionalçlirimtare në Kosovë e udhëhoqën partizanët shqipfolës dhe jugosllavë, të cilët luftuan kundër Gjermanisë dhe aleatëve të tij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova përjetoi një tjetër periudhë dramatike ndryshimesh politike e ushtarake. Pas vitit 1945, ajo u përfshi në Federatën Jugosllave të udhëhequr nga Josip Broz Tito dhe klika e tij komuniste.

Fillimisht u vendos administrim ushtarak, e më pas Kosova u shpall krahinë autonome brenda Serbisë. Megjithëse autonomia u zgjerua në vitin 1974, ajo edhe atëherë në një farë mënyre mbeti e brishtë. Në fund të viteve ’80, autonomia u suprimua me forcë, duke sjellë përjashtime nga puna, mbyllje shkollash, segregacion dhe represion institucional.

Lufta e Kosovës ishte një luftë e armatosur në Kosovë (atëherë pjesë e okupuar nga Serbia dhe Malit i Zi), ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbështetur nga Policia e Serbisë (MUP-Serb). Ajo filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmeve jugosllave në fshatrat Likoshan, Qirez dhe Prekaz të rajonit të Drenicës dhe në të gjitha rajonet tjera të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999.

Lufta mori fund pas ndërhyrjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO-s), ku drejtohej nga SHBA-të, e cila nisi sulmet ajrore kundër Serbisë më 24 mars 1999, duke çuar në tërheqjen e forcave serbo-jugosllave nga Kosova.

Vitet 1998–1999 shënuan kulmin e përballjes historike. Lufta çlirimtare e Kosovës ishte një nga sakrificat më të mëdha të kohës moderne. Qytete dhe fshatra të djegura, më mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të dëbuar – kjo ishte kostoja e lirisë.

Ndërhyrja ndërkombëtare i dha fund luftës dhe hapi rrugën drejt një kapitulli të ri: administrimit ndërkombëtar dhe procesit të shtetformimit.

Më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës. Ishte një moment historik – kulmi i një sakrifice të gjatë shekullore. Kosova u bë shtet sovran dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Mbi njëqind shtete të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Sot, në 18-vjetorin e Pavarësisë, nuk mjafton një urim ceremonial. Tetëmbëdhjetë vite për një shtet janë si tetëmbëdhjetë vite për një njeri, është fundi i adoleshencës dhe fillimi i pjekurisë. Gjatë këtyre viteve, Republika e Kosovës është përballur me sfida të shumta – kriza politike, vështirësi ekonomike dhe procese të ndërlikuara diplomatike. Megjithatë, ajo qëndroi.

Qëndroi sepse ishte ndërtuar mbi sakrificë. Qëndroi sepse kishte një popull që besonte në shtetin e vet.
Tashme nga sot edhe fillon një fazë e re apo epoka e pjekurisë shtetërore, ku ajo pjekuri kërkon institucione të forta, drejtësi të paanshme dhe ekonomi të qëndrueshme. Kërkon arsim cilësor që nxit dijen dhe inovacionin. Kërkon administratë të ndershme dhe kulturë demokratike të konsoliduar. Kërkon që liria politike të shndërrohet në mirëqenie për çdo qytetar të saj.

Prandaj, në vend të një urimi të zakonshëm, sot e themi me vetëdije të plotë historike dhe me përgjegjësi qytetare, Republika e Kosovës, si shtet, tashmë e ka kaluar moshën e adoleshencës. Ajo hyn në epokën e pjekurisë së saj shtetërore. Me histori në themel, me sakrificë në kujtesë dhe me të ardhmen në horizont, Kosova ecën dhe do të ecë përpara drejt integrimit të saj euroatlantik.

Lavdi veprës së të gjithë atyre që dhanë jetën për Republikën e Kosovës.

Rroftë Republika e Kosovës!

Klinë, më 17 shkurt 2026