“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë”, kryetari Zenun Elezaj fton qytetarët të marshojnë në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi, drejtorin e Administratës Binak Sylaj dhe drejtorin e Arsimit Qemajl Sejdija, ka vizituar organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në këtë komunë.

Gjatë takimit me kryetarët e tri shoqatave, Hajdin Balaj, Bahtije Haliti dhe Vesel Berisha, u diskutua për organizimin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe për organizimin e marshit “Për Drejtësi, Jo Politikë”, i cili synon mbështetjen e vlerave të luftës dhe kërkesës për drejtësi.

Elezaj theksoi se në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt përfundimit, vendi dhe shoqëria kanë nevojë për unitet dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Ai shprehu gatishmërinë e Komunës së Klinës për të siguruar transport me autobusë për qytetarët që do të marrin pjesë në marsh, sipas kërkesës së organizatave të dala nga lufta.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pastër, duke bashkuar popullin shqiptar në luftën për lirinë e Kosovës.

Në fund, kryetari i Klinës ftoi të gjithë qytetarët që më 17 shkurt, në Prishtinë, të marrin pjesë në marsh për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe kërkesës për drejtësi.

Statusi i plotë:

Sot, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi, drejtorin e Administratës, Binak Sylaj, dhe drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, kemi vizituar organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Klinë, të cilët i falënderoj për pritjen dhe bashkëpunimin.

Me kryetarët e tri shoqatave, z. Hajdin Balaj, znj. Bahtije Haliti dhe z. Vesel Berisha, diskutuam lidhur me organizimin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Temë e veçantë e diskutimit ishte edhe organizimi i marshit “Për Drejtësi, Jo Politikë”, i cili është në mbështetje të vlerave të luftës dhe të së drejtës për drejtësi.

Në këto momente, kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt përfundimit, vendi dhe shoqëria kanë nevojë për unitet dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Në këtë kuptim, theksova gatishmërinë time dhe të komunës për sigurimin e transportit me autobusë për marshin “Për Drejtësi, Jo Politikë”, sipas kërkesave së tri organizatave të dala nga lufta.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pastër.
Ajo bashkoi popullin shqiptar për një qëllim të vetëm – lirinë e Kosovës.

Ftoj të gjithë qytetarët që më 17 shkurt, në Prishtinë, të marshojmë së bashku në mbrojtje të vlerave të luftës dhe luftës së pastër të UÇK-së.