Zenun Elezaj riemëron Agron Bacajn drejtor të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar riemërimin e Agron Bacajt në pozitën e drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Bacaj, i cili vjen nga fshati Zajm, është magjistër i Menaxhmentit dhe ka ndjekur disa programe të specializuara në fushën e medias dhe komunikimit publik. Ai posedon një përvojë të pasur profesionale dhe politike, duke qenë për katër mandate anëtar i Kuvendit të Komunës së Klinës, transmeton KLINA info.

Gjatë karrierës së tij, Bacaj ka mbajtur edhe pozita udhëheqëse në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun/Zëdhënës, koordinator për zhvillimin e resurseve njerëzore dhe zyrtar i lartë i burimeve njerëzore. Po ashtu, ai ka ushtruar edhe funksionin e zëvendësministrit në Ministrinë e Brendshme dhe Administratës Publike.

Në mandatin e kaluar, Agron Bacaj ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku, sipas kryetarit Elezaj, ka dëshmuar përkushtim dhe punë të mirë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Ai pritet ta vazhdojë këtë angazhim edhe në mandatin e ri, me mbështetjen e plotë të kryetarit të komunës.