Infermierët të pakënaqur: Vlera e koeficientit është tejet e ulët

Oda e Infermierëve është shprehur e pakënaqur me vlerën e koeficientit por edhe kategorizimet që janë bërë me Ligjin e Pagave për komunitetin infermeror.

OIK thotë se asnjë nga kërkesat e tyre lidhur me kategorizimet nuk janë marrë parasysh derisa vlera e “koeficientit është tejet e ulët”.

“KD i OIK apelon për të fundit herë tek Qeveria e Republikës së Kosovës që krahas ekzekutimit të pagave sipas Ligjit të ri, të mos ndërpresë në asnjë mënyrë shujtat dhe shtesat e tjera”, thuhet në komunikatën e OIK.

Komunikata e plotë:

Këshilli Drejtues i Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka mbajtur një takim urgjent duke shprehur pakënaqësitë në lidhje me vlerën e koeficientit por edhe kategorizimet që janë bërë me Ligjin e Pagave për komunitetin infermeror.

Në këtë takim u tha se asnjë nga kërkesat e përfaqësuesve të OIK lidhur me kategorizimet nuk janë marrë parasysh derisa vlera e koeficientit është tejet e ulët.

Kështu, kjo është nënvlerësuese për shkollimin dhe angazhimin e infermierëve, kategori kjo e cila edhe ashtu është e predispozuar me të madhe për të ikur jashtë vendit.

Andaj, anëtarët e Këshillit Drejtues të OIK kanë vendosur që t’i japin kohë Qeverisë që të reflektojë dhe krahas kësaj pagese të mbesin në fuqi shtesat si shujtat dhe kujdestaritë, të cilat duhet të jenë të pa cënueshme.

KD i OIK apelon për të fundit herë tek Qeveria e Republikës së Kosovës që krahas ekzekutimit të pagave sipas Ligjit të ri, të mos ndërpresë në asnjë mënyrë shujtat dhe shtesat e tjera. Përndryshe, pakënaqësitë e mëdha brenda komunitetit nga trajtimi i pabarabartë sipas niveleve të shkollimit dhe vlera e ulët e koeficientit do të na shtyejë të kërkojmë veprime ligjore kushtetuese që mund të vënë në pikëpyetje edhe vet Ligjin.