99 – shi i PDK-së Isak Neziri thekson vizionin ekonomik dhe merr mbështetje nga Ramiz Lladrovci

Kandidati për deputet nga PDK, Isak Neziri me numrin 99, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku janë diskutuar tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e Drenicës dhe të Kosovës në përgjithësi.

Neziri ka theksuar se këto takime i japin edhe më shumë entuziazëm dhe vendosmëri për realizimin e synimeve të tij politike, duke vënë theksin te puna si vlerë themelore dhe “letërnjoftimi më i mirë i një njeriu”. Tema kryesore e diskutimit ishte perspektiva ekonomike e Drenasit, një komunë me pozitë të favorshme infrastrukturore, e lidhur me autostradë dhe hekurudhë, afër aeroportit dhe me parqe biznesi që ofrojnë mundësi të mëdha për investitorë.

Kandidati Neziri prezantoi edhe vizionin e tij ekonomik të quajtur “Drenica Invest 2026”, i cili synon të sjellë investime nga ndërmarrës të huaj dhe shqiptarë, me fokus të veçantë te bizneset e Drenicës, duke krijuar vende të reja pune dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai theksoi se përkrahja e kryetarit Lladrovci është një shtysë e madhe për ta shndërruar këtë vizion në realitet, duke shprehur besimin se Kosova ka potencial të madh për zhvillim dhe ecje përpara, kur qëllimet ndërtohen mbi përvojë, përkushtim dhe dashuri për atdheun.