Gazmend Maliqaj: Bedri Hamza do t’i presë çlirimtarët nga Haga si Kryeministër në vitin 2026

Në një takim me strukturat partiake të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), doktori dhe profesori nga Kijeva, Gazmend Maliqaj i njohur si Doktor Gazi me numër 31 në listën e kandidatëve për deputet, ka shprehur bindjen se viti 2026 do të shënojë një moment historik për Kosovën.

Ai falënderoi aktivistët dhe strukturat e partisë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, duke i ftuar që të ruajnë të njëjtin ritëm pune dhe mobilizimi politik. Sipas tij, ky angazhim do të krijojë kushtet që Bedri Hamza të udhëheqë qeverinë e ardhshme të vendit si kryeministër.

“Me këtë përkushtim dhe unitet, ne do ta bëjmë realitet që Bedri Hamza, si kryeministër i Kosovës në vitin 2026, t’i presë nga Haga çlirimtarët tanë si fitimtarë,” u shpreh ai para të pranishmëve.

Në deklaratën e tij, Doktor Gazi përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke theksuar se ata do të kthehen në atdhe “tamam si çlirimtarë”, me nder dhe dinjitet.

Takimi u përmbyll me mesazhe mobilizuese për strukturat e PDK-së, në prag të proceseve të ardhshme politike, me theks të veçantë në unitetin partiak dhe besimin në drejtësi.