Vjosa Osmani: Javën tjetër i drejtohemi Kushtetueses, nëse në vikend s’ka institucione apo marrëveshje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nëse gjatë fundjavës nuk formohen institucionet e reja dhe nuk ka marrëveshje që çon në formimin e tyre.

Këto deklarata ajo i bëri në një konferencë për media, ku fillimisht tha se nuk mund të “negociojë marrëveshje” apo “ta çojë vendin në zgjedhje”.

“Nuk është roli i asnjë presidenti që të negociojë koalicione, e kam të ndaluafr me Kushtetutë. Dua ta qartësoj që Kushtetuta nuk lejon që presidentja ta shpërndajë Kuvendin dhe të çojë vendin në zgjedhje, se po kemi kanihere thirrje prej qytetarëve pse nuk po e çon vendin në zgjedhje.

Unë mund të bëj thirrje për dëmin, rreziqet që po përballen vendi nëse s’kemi konstituim, por unë jam e bindur se si për çdo afat, edhe për këtë afat, nëse nuk respektohet duhet të ketë pasoja juridike. S’po flas për pasoja penale, po flas për juridike. Çka ndodhë me institucione nëse nuk konstituohen deri më 26 korrik?” – u shpreh Osmani, transmeton Nacionale.

Tutje, ajo tha se janë duke përgatitur lëndën, e cila në fillim të javës tjetër mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse mund të vazhdohet kështu, për çka është vendosë ai afat, pse është i detyrueshëm dhe Kushtetues. Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, nëse edhe këtë vikend nuk ka institucione apo marrëveshje, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës” – tha ajo.