SHËNOHET DITA E FËMIJËVE NË KLINË

Në një atmosferë festive dhe plot entuziazëm, Komuna e Klinës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me një sërë aktivitetesh të pasura edukative dhe argëtuese, që sollën së bashku qindra fëmijë nga shkollat e ndryshme të komunës.

Kjo ngjarje u organizua në bashkëpunim të ngushtë me organizatat partnere, mes tyre organizata zvicerane Smile Together, e përfaqësuar nga z. Asllan Rudaj, organizata Syri i Vizionit dhe Qendra Rinore “Ardhmëria”, të cilat luajtën një rol kyç në realizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve që i dhanë ngjyrë kësaj dite të veçantë.
Kryetari i Komunës, z. Zenun Elezaj, duke përshëndetur fëmijët dhe të pranishmit, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen dhe entuziazmin e tyre, si dhe nënvizoi përkushtimin e komunës për të vazhduar investimin në të ardhmen e fëmijëve përmes arsimit, mirëqenies dhe mbështetjes institucionale.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë, dhe si institucione kemi obligim moral dhe ligjor që t’i përkrahim ata në çdo hap të zhvillimit të tyre,” u shpreh z. Elezaj.

Një mbështetje të veçantë dha edhe Drejtoria e Arsimit, e udhëhequr nga z. Qemajl Sejdija, e cila, së bashku me stafin profesional, kontribuoi në mënyrë të çmuar në organizimin dhe koordinimin e ngjarjes. Përkushtimi i tyre ndaj edukimit cilësor dhe zhvillimit të fëmijëve u vlerësua lart nga të gjithë pjesëmarrësit.

Pjesë e rëndësishme e kësaj dite ishte edhe Policia e Kosovës, e cila me praninë dhe angazhimin e saj siguroi mbarëvajtjen e aktivitetit dhe, ndërkohë, përcolli mesazhe të rëndësishme për sigurinë, sjelljen në komunitet dhe edukimin qytetar të fëmijëve.

Aktivitetet përfshinë lojëra të ndryshme, punëtori kreative, aktivitete artistike dhe sportive, duke krijuar një ambient të gëzueshëm dhe të paharrueshëm për fëmijët.