Absolventja Alketa Imeri i bashkohet PDK-së, në Klinë

Alketa Imeri, një absolvente e dalluar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Prishtinës – drejtimi Gjuhë Angleze, ka bërë aderimin e saj të parë në një subjekt politik, duke zgjedhur të bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës, Dega në Klinë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i degës, Sokol Bashota.

“E lindur në një familje të nderuar nga rajoni i Drenicës, e cila pas luftës është vendosur dhe zhvillon veprimtari në komunën e Klinës, Alketa ka treguar gjithmonë përkushtim të lartë në jetën studentore dhe aktivitetet rinore”, ka shkruar Bashota në FB.

Me një vizion të qartë për të ardhmen dhe dëshirë për të ndikuar në zhvillimet politike të vendit, ajo u shpreh:

Gjithmonë i kam besuar udhëheqjes së PDK-së në Klinë. I jam gëzuar çdo projekti të realizuar në të mirë të qytetarëve, dhe të tillë gjatë qeverisjes së PDK-së ka pasur shumë. Besoj se rinia ka potencialin për të ndryshuar shoqërinë tonë për të mirë dhe, përmes PDK-së, dua të jap kontributin tim në këtë drejtim.”

Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka mirëpritur aderimin e saj duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e rolit të të rinjve dhe grave në politikën lokale dhe atë nacionale.

“Aderimi i Alketës është një dëshmi se rinia po i beson vizionit tonë për të ardhmen. Ajo përfaqëson gjeneratën e re që sjell energji, ide të freskëta dhe përkushtim për ndryshim”, u shpreh tutje Bashota.