Takim letrar dhe përurim librash në Klinë në nderë të krijimtarisë së shkrimtarit, Llesh Ndojt nga Lezha

Shkruan: Lekē Mrijaj

Sot, në qytetin e Klinës, u shënua një ngjarje e veçantë me karakter kulturor dhe letrar, pra, është bërë përurimi i veprave të poetit dhe shkrimtarit mirditor nga Lezha, Llesh Ndoj. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal dhe u organizua nga Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ky takim letrar mblodhi rreth vetes një plejadë krijuesish të vlerave shumëdimensionale nga Klina, Dukagjini, Drenica dhe mbarë Kosova, duke dëshmuar se fjala artistike, kur mbështetet në rrënjë të thella dhe përmbajtje të fuqishme, tejkalon kufijtë gjeografikë e kohorë.

Takimin e moderoi prof. Pal Canaj, ndërsa fjalët përshëndetëse dhe të mirënjohjes u pasuan nga kumtesa dhe diskutime të thelluara nga studiues të njohur si: prof. dr. Anton Nikë Berisha, prof. dr. Nikoll Loka, prof. Nexhat Rexha, prof. Arsim Halili, prof. Alket Bushi, prof. Mikel Gojani, prof. Hajdin Morina dhe prof. Prend Buzhala, të cilët analizuan dhe vlerësuan krijimtarinë e gjerë, të thellë dhe të qëndrueshme të autorit Llesh Ndoj.

Ndër pjesëmarrësit spikatën edhe figura të njohura të letrave shqipe si shkrimtari Nazmi Rrahmani dhe krijuesi Ibrahim Kadriu nga Prishtina, të cilët me praninë e tyre i dhanë ngjarjes një peshë të veçantë.

Një moment domethënës i këtij takimi ishte ndarja e një Mirënjohjeje për autorin Llesh Ndoj nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, përfaqësuar nga drejtori Driton Batdheci.

Në shenjë respekti dhe falënderimi, Llesh Ndoj dhuroi disa nga veprat e tij për Bibliotekën e qytetit “Kongresi i Manastirit”, si dhe për pjesëmarrësit e tjerë. U zhvillua gjithashtu edhe një shkëmbim simbolik dhuratash mes krijuesve: Nazmi Rrahmani i dhuroi autorit një komplet të veprave të Azem Shkrelit, Ibrahim Kadriu dhuroi përmbledhjen e tij letrare, ndërsa Anton Nikë Berisha solli një cikël prej dhjetë vëllimesh studimore.

Ky Takim letrar nuk ishte vetëm një prezantim librash, ishte një akt frymëzimi, një thirrje për unifikim përmes artit dhe një dëshmi e gjallë se fjala e shkruar shqipe ruan ende peshën dhe ndikimin e saj në ndërtimin e urave kulturore shqiptare. Klina, edhe një herë, u dëshmua si një stacion i rëndësishëm i itinerarit të kulturës kombëtare.
Mirënjohje miku im shkrimtari, Llesh Ndoj!