Logo
Kërkoni produkte
Krasniqi i shkon Kurtit në takim, cilat do të jenë rezultatet?
01.05.2025 08:35
Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka shkuar sot në takim Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, pas ftesës që i kishte dërguar për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Pos Krasniqit, Kurti në takim e ka ftuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, po ai nuk do të jetë i pranishëm, pasi është jashtë shtetit.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Klankosova.tv dje ka pohuar se nuk do të marrin pjesë në takim si subjekt politik, dhe se Abdixhiku nuk është në Kosovë.
Përmbajtja e ftesës së Kurtit nisi ”me qëllim konstituimin e Kuvendit”, duke përfunduar tek ideja e zgjedhjes së nënkryetarëve.
Më 29 prill, Kuvendi i Kosovës e pati tentativën e tetë për konstituimin e Kuvendit – Albulena Haxhiu nuk i mori votat për kryeparlamentare për të gjashtën herë.
Lëvizja Vetëvendosje po ngul këmbë në kandidaturën e saj, ndërkohë që partitë opozitare po refuzojnë t’i japin votën. Ato kërkojnë një emër konsensual – ashtu siç dikur kishte kërkuar edhe Albin Kurti në kohën e PAN-it. /Klankosova.tv