7 vjet nga vdekja e aktivistit Arbënor Dehari, Kurti bën homazhe te varri i tij

Kryeministri Albin Kurti ka bërë sot homazhe në nder të aktivistit Arbënor Dehari, në 7-vjetorin e vdekjes së tij.

Në një postim në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Dehari ka qenë shembull i aktivistit punëtor e modest.

“Arbënori ka qenë dhe është frymëzim jo vetëm për aktivistët e Lëvizjes sonë, por për të gjithë ata që refuzojnë të nënshtrohen e me vullnet të fuqishëm përfshihen nëpër beteja për më shumë drejtësi e barazi shoqërore. Arbënori ishte shembull i aktivistit punëtor e modest. Ai bënte bashkë teorinë dhe praktikën, kishte thellësi politike e prirje të madhe organizative”, thuhet në postim.

Zyrtarisht, Arbënori bëri vetëvrasje duke rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte. Ai ishte aktivist i Vetëvendosjes që nga formimi i saj, si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje. Por familjarët dhe ata që kanë njohur Arbënorin asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë version, pasi kanë deklaruar se Arbënori nuk ka pasur asnjë arsye për të kryer atë akt. /