32 mijë kosovarë të regjistruar si të papunë vetëm gjatë muajit prill

Sipas Institutit GAP, deklarohet se Kosova po përballet me humbje të vendeve të punës.

GAP thotë se pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 ka ndikuar gjerë edhe në aspektin ekonomik në Kosovë, një studim i tyre tregon se vetëm gjatë muajit prill në Kosovë janë regjistruar mbi 32 mijë persona si të papunë ku një pjesë bukur e madhe e tyre janë gra.

Sipas këtij Instituti, kjo është një shifër rekord e regjistrimit të njerëzve të papunë, me një mesatare të thjeshtë i bie se çdo ditë rreth 1600 persona janë regjistruar si të papunë.

“Ky raport tregon se si përhapja e pandemisë në Kosovë, e shoqëruar me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mbylljen e shumë veprimtarive afariste, pati një ndikim të menjëhershëm në tregun e punës. Vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinjë, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020. Një pjesë e madhe e tyre (16,820) janë gra. Marrë parasysh pjesëmarrjen shumë të ulët të aktivitetit ekonomik të grave dhe barrierat tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë.

Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 80 mijë persona, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Edhe numri i kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) ka shënuar ulje prej rreth 20% në shumicën e komunave të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e GAP’it,