30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit për aksidentin ku vdiqën 3 persona

Gjykata Themelore në Prizren njofton se ka caktuar masa e paraburgimit ndaj dytë pandehurve , për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Gjyqtarja e procedurës– Teuta Krusha, në Departamentin e Krimeve të Rënda, të kësaj gjykate, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.12.2023 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.01.2024 ndaj të pandehurve A.S., dhe I.H., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 – par.5(nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave,) lidhur me par.1 dhe nenin 31 të kodit Penale të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata arsyeton rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

“Se me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S.,dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve”, thuhet në vendim.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventual. Andaj me lënien në liri të tëpandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit.

Po ashtu duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale që i’u, ngarkohet dhe pasojat që kanë shkaktuar me veprimet e tyre, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm.

“Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale,duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurve në liri të njëjtit mund të përsëris veprën penale, apo mund të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e kësaj GFjylkate.