22 vite burgim për të akuzuarin për krime lufte në Krushë të Vogël

I akuzuari për krime lufte, Darko Tasiq është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren. Ndaj Tasiq u shqiptua dënimi unik prej 22 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani.

Për pikën e parë të aktakuzës, Tasiq u dënua me 7 vite burgim, kurse për atë të dytën me 15 vite burgim.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv.