19-vjeçari nga Klina që u ‘tradhtua’ nga TikTok-u, kapet nga Policia pasi u filmua duke shtënë me armë në ajër

Sinjali mëson ekskluzivisht se një 19-vjeçar nga fshati Qeskovë i Klinës ka përfunduar në duart e Policisë, pasi publikoi në rrjetin social TikTok një video ku shihej duke shtënë me armë në ajër gjatë një ahengu familjar.

Bëhet fjalë për M. M rreth 19-vjeçar, i cili u identifikua nga hetuesit pasi pamjet u publikuan në llogarinë “Zekemorina7”. Në video, ai shihej duke shtënë me një pistoletë me gaz, ndërsa xhirimi ishte realizuar nga vëllai i tij, Z. M. rreth 28-vjeçar.

Gjatë veprimeve hetimore, i dyshuari pranoi se më 9 gusht kishte shtënë dy herë në ajër me pistoletën në fjalë. Ai e dorëzoi vullnetarisht armën me një karikator, e cila u sekuestrua nga Policia si provë materiale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij u iniciuan veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa rasti po hetohet më tej.