16 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

Një tragjedi tronditi Kosovën 16 vjet më parë, kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri”, tani Gjimnazi “Hamdi Berisha” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni në Shqipëri.

Ngjarja ndodhi kur autobusi me 49 maturantë, u rrokullis dhe ra në një humnerë në Fushë Arrëz të Pukës, me ç’rast 34 nxënës të tjerë u lënduan rëndë.

Pas identifikimet të trupave të pajetë, ushtria shqiptare i përcolli në mënyrë dinjitoze deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri”. Varrimi u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve” në lagjen e Gurit.

Në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, Qeveria shqiptare ngriti një obelisk përkujtimor te vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dyvjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytetin e Malishevës.