Familja e Mujë Krasniqit mohon lajmet për pagëzimin në Kishën e Klinës

Familja e Heronjve të Kombit, Mujë dhe Ali Krasniqi, ka reaguar pas përhapjes së një lajmi në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa anëtarë të familjes së tyre janë pagëzuar në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, në një ceremoni të udhëhequr nga meshtarët Dom Fran Kolaj dhe Dom Jeton Thaçi.

Në reagimin e tyre për Klina Info, familja Krasniqi e ka quajtur këtë informacion të pavërtetë dhe dezinformatë të qëllimshme, duke theksuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se asnjë anëtar i familjes nuk ka marrë pjesë në ndonjë ceremoni pagëzimi.

“Ky është një lajm i pavërtetë, i paqëndrueshëm dhe spekulativ. Familja jonë nuk ka marrë pjesë në një ceremoni të tillë, as nuk ka kryer ndonjë pagëzim siç është raportuar. Kërkojmë nga të gjitha mediat dhe individët që të ndalojnë përhapjen e këtyre dezinformatave,” thuhet në reagimin për Klina info.

Familja shton se nuk ka asgjë kundër asnjë feje apo kalimit në ndonjë fe tjetër, por kundërshton fuqishëm manipulimin dhe përfshirjen e emrit të tyre në ngjarje të pavërteta që, sipas tyre, rrezikojnë të njollosin figurën dhe nderin e familjes, që ka dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Ngjarja e publikuar në rrjetet sociale, e shoqëruar me fotografi dhe komente, është përgënjeshtruar plotësisht nga familja, e cila kërkon respekt për sakrificën dhe trashëgiminë e Mujë e Ali Krasniqit – dy figura kyçe të luftës për çlirim./Klina info/