Zjarret në Klinë, kryetari Elezaj: Prioritet mbetet siguria e qytetarëve

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar lidhur me zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të kësaj komune, duke shkaktuar dëme materiale.

“Jemi në terren dhe në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Falënderoj zjarrfikësit e Klinës si dhe ekipet nga Peja, Rahoveci e Gjakova për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e tyre të çmuar në këtë situatë emergjente.

U bëj thirrje qytetarëve që të kenë kujdes maksimal dhe të mos djegin hamullore apo mbeturina, sepse rreziku i përhapjes së zjarreve është shumë i madh dhe mund të rrezikojë pronën dhe jetën e njerëzve.

Komuna e Klinës do të vazhdojë të jetë e angazhuar me të gjitha kapacitetet për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë”, ka deklaruar kryetari Elezaj.